Rikthim në Parisin e vitit 1959

 Teksa shëtisim me Frankun të kapur prej krahu përgjatë shëtitores, Sena e ndjek qetë dashurinë tonë. Nuk më habit qetësia e saj në dhjetorin e ashpër. Me dorën e lirë ngre jakën e pardesysë dhe rregulloj mirë beretën.
 Në një kafene të vogël buzë rrugës, luhet kënga "Ne me quitte pas".
Vazhdojmë shëtitjen me Frankun, dhe i shtrëngojmë krahët e njëri-tjetrit edhe më shumë, ca nga i ftohti, e ca nga dashuria. E shohim njëri-tjetrin në sy, i qeshim së bashku dashurisë që kemi për njëri-tjetrin...por papritur Franku më humbet nga sytë, zhduket, tretet, bëhet një hije pluhuri, e përpin era...
Dhe ndjenja më e vjetër, ajo më e vështira më kthen pas në vitin 1959, kur dikush, pa arsyen më të vogël, për arsyen e kënaqësisë së tij, ma rrëmbeu Frankun prej duarve. 
 E mori Frankun prej meje a thua se të ish i tepërt.
 Më kujtohet si sot, drithma që ma përshkoi trupin kur e pash Frankun të shtrirë larg meje, ai kurrë nuk është shtrirë pa mua diku.
 Ulërisja me fuqinë e gjithë dashurisë tonë. Ulërisja fort në frëngjisht. Ulërisja me zërin e çjerrë. Me zërin që më shuhej. Me zemrën që po i dobësoheshin rrahjet.
Ne me quitte pas Frank! Ne me quitte pas*!
...
E tani, teksa eci çdo të dielë përgjatë Senës, shkoj në rrugën ku Franku më la, dhe filloj të mbledh të gjitha copëzat e dashurisë që ai la për mua.
 Vazhdoj ta dua Frankun me të njëjtën dashuri, me besnikërinë e një femre, e dua Frankun dhe pse më braktisi pabesisht.
 Ulem në barin përballë rrugës dhe flas me Frankun për ndodhitë e javës. Moti ka filluar të freskohet sërish. Franku më thotë të bëj kujdes nga koha, të kujdesem për veten sepse nëse sëmurem, askush nuk do të më vijë pas avazit.
 Ahh Frank, por ti nuk e di.
 Je suis malade**, je suis malade sans toi***!


Përkthyer nga frengjishtja:

* ne me quitte pas - mos më lër
** je suis malade - jam sëmurë
*** je suis malade sans toi - jam e sëmurë pa ty

Të gjithë e kanë lexuar

Të dua vs Të kam xhan

Nuk kanë përgjigje këto pyejte

What would you do for love?

Pas t'njëzetegjashtit