Posts

Showing posts from 2024

Rebelohem

Më nuk rebelohem se koha më ka ndryshuar,  Jam bërë pranuese-dembele  e shprehjes se fati na qenka i shkruar. Rebelohem, Ndaj vetes më shumë, Se sa pak vrer kam. Rebelohem, Se e vërteta e qenësisë sime ka humbur, E unë më, aty nuk jam. Por njeriu ndryshon, Me kalimin e viteve, Me lëvizjen e akrepave të orës, Me numërimin e ditëve. Kam ndryshuar dhe këtë e di mirë, Çdo ditë, kotësia e qenies më rrethon. (E jo veç mua) Për t'u ngritur pa dëshirë.

Nevoja ime për ty

Kur nevoja ime për ty, preku qiellin Unë u ktheva në diell e rreze lëshova. Universi mendoi se isha e paprekshme. Andaj si për inat, unë ty të dashurova. Një ditë një shi i imët me re mbuloi shkëlqimin tim. E pamundur rrezet ty për ti lëshuar, Kuptova që kjo sëmundje nuk paska shërim. E në tokë kthehem sërish, Për të të shpëtuar ty renda si e marrë. Ah dhe kur një herë dashurinë e gjeta, Pa dashur e çova në djall. Ish universi që më ndëshkoi, për dashurinë që përtej qiellit gjeta prej duarsh ty nga unë të mori, E vetme, shkëlqimhumbur, pa ty mbeta. Në një botë tjetër premtoj të të takoj, Po më duhet shpirt të t'them se malli për ty Gjithmonë do t'më përvëlojë.

Lumturia zgjat pak

E dini sa pak zgjat lumturia?! Një çast, E pastaj,  Hop,  Më zhduket nga sytë. Lumturia, Ah, kjo ndjenjë e mallkuar, S'guxon ta kesh se tepria e saj të mbyt. Mund të mbytesh nga emocioni se lumturia kështu e ka, Gjendet pa pagesë në një fushë aviacioni. Veç duhet të dish që  ta rrëmben hapsira, ... Por ti mund të ruash çastin që me ty të zgjasë përjetë, Atëherë ti do kesh kuptuar Sa pak zgjat lumturia e vërtetë.

Maskat

Maska, Të shtirura maska, Të hidhura maska, Asgjë më shumë se fasada. Maskë që të rrëmben si melodi E dehur nga ideali që beson kalimthi. Maskë pjesë e dramës e zhanerit tragjedi. Maskë e paçjerrë, E pa mësuar ende nga të tjerë. Në pritje që të bjerë,  Fytyrë në diell për ta nderë. Maskë fatale fsheh bukurinë fenomenale. Mashtrim edhe për një të rradhës ditë, Maskë e sofistikuar që arrin të fsheh dhe sytë Do ngrihem maskën unë ta çjerr, Për pak desh më hodhi në ferr. Më çoi në djall, më bën me faj Maska me të cilën unë ngjaj.

Aktore

Shkruaj për një aktore, Që jetën e ndau në role, Që të vogël e morën për dore E e mësoi një tutore. "Aktore kape shansin, Kur meshkujt të brohorasin, Kur prej teje kërkojnë më shumë përgjigjju siç të mësova unë." Para pasqyrës shoh, Një fytyrë që e njoh, Një fytyrë që veten rriti, Një fytyrë që ta duan s'diti. Fytyra jam unë! Të prezantohem pak më shumë, Shfaqjet e jetës i jap në rrugë, që prej vegjëlie prostitutë.

Po ta ktheja kohën

S'mund ta kthej dot kohën pas, E ty nga hiçi të të kërkoj. Pas, veç pak, kohën ta ktheja për të të thënë se të dashuroj. Kjo letër e vjetër në duar do t'më mbetet. Dashuria, më ka mësuar të heshtem, Pas teje zemra, më nuk do të endet. Po ta ktheja kohën pas, Të mjerën letrën time, do ta kisha postuar E do të çmendesha nga pritja, Ty për të të takuar. Ndaj koha ecën, As ty, as mua, nuk mundet të na presë. Pritja jonë mund të jetë zgjidhje për dikë që ende ka shpresë.

Viktima të kohës

Viktima të kohës, të detyruar, pa dëshirë zgjodhëm të jemi Në botë tonë kaq të trishtë. Jemi viktima të vetes, Të mendjes së frustruar, Në shpërthim gjithmonë për të arrirë nga mentaliteti i cunguar. Gdhë që nuk gdhëndet, Viktimë e kohës jam,  Të vras apo të vritem Në mend dilemën e ditës kam. Në ka Kabul e Siri që nuk vrasin, por vritet për liri, Ka dhe një vend në hartë që quhet Shqipëri, E përgjakur së fundmi, E dehur nga një ekstazi. Ekstazi Mendje shpërthyese Në gabim ftuese  Në krim zhytëse... Rebelim gjer në vdekje Nga buron gjithë kjo etje? Pre e mallkimit për të qenë të ligj, Të vetmuar gjenden në këtë botë, Të vetmuar e pa miq. Vetëm, as pa veten  Viktimë e kohës vazhdoj të mbetem. Se kur kjo gjendje do të mbarojë, Drejt të them nuk di. Ah sa do të doja Një forcë jashtëtokësore të kisha, Dy herë pa u menduar  ta ndalja këtë marrëzi.

Viktima e fatit

Jam viktimë e shokut tim. Arsye të pashpjegueshme, U kthyen në krim. Jam ëndërrimtar i së ardhmes time I paditur, ndaj jetës ç'më priste  Pa kuptuar mori fund jeta ime. Jam futbollist, jam fëmijë I përgjumur fati im  Që për mua s'desh t'ja dijë. Quhem Martin, Më thërrisni engjëll  se pranë jush më nuk jam. Një ditë do të triumfojë e vërteta ime Mbani mend t'ja thoni Të gjithë atyre që më vranë.

Pranë Zotit

Pranë Zotit, Gjendem tashmë unë. Në parajsën qiellore, Një engjëll më shumë. Hyjnia e këtij vendi  qenka e tejskajshme,  si arsyet që engjëjt janë këtu. Të dhimbshme, të llahtarshme. Pranë Zotit, Duarlidhur nga ç'mund të kryej, Hak s'mund të marr Tek njerëzit e urryer. Pranë Zotit, Gjeta paqen që se pata as me atin, hedhur krahëve pas  këtu mësohesh si ta lësh fatin. Këtu mëson se falja  ka më shumë rëndësi se ngjallja. Kush kërkon të mos falë asnjëherë, Në parajsë vend nuk do të ketë për engjëj të tjerë.

Baba

Mëngjesi pa dëshirë më zgjon me dritën e diellit që hidhur,  mbi mua rrezaton. Ky rrezatim vjen i zymtë, I zymtë, si babai Babai që don me m'mbyt. Frikë kam  Kjo ëndërr pse më duket kaq reale qullë bëhem nga djersët, Kur mendja më shpie  në fundin e ëndrrës sime fatale. Ba, Durt tuja ndjej frymën që po ma marrin. Ba,  Durt tuja prej meje hiq At jet' që m'fale,  at jet' po m'marrin. E forcë ai më s'kish, Ose kështu mendoja unë unë gjethja e fildisht'. Për mua më forcë nuk kish se unë qeshë këputur, prej jetës larguar, e ftohtë tashmë, drejt në dhé për tu çuar. Habitem pse prej ëndrrës  ende nuk jam zgjuar, Në bardhësinë e syve hyj ngadalë mes kopshtesh të gjelbëruar. Por i vdekuri vazhdon të ndjejë kur në kutizën pa dëshirë-të-futur, E vajtojnë të gjallë-të vdekshmit e tjerë.

Maja e Olimpit

Dhe një herë marr të ngjis malin për të nxjerrë britmën time të çjerrë Dua vetëm të gjej atë djalin, që i vetëm ngeli, por jo i mjerë.  Një grusht të mbledhur, në grykë e kam S'di kujt t'i drejtohem që t'më çlirojë. Ndonëse ndryshimin e kam kërkuar te vetja, Tani, asgjë s'është më njësoj. Më duhet kohë, malin ta ngjis se kështu kohë mori dhe vuajtja e tij, Zog, shpend dua të bëhem Luleve e pemëve, përgjatë malit të degdis. Në fluturim, engjëj dalloj Në zog jam kthyer, me shpejtësi fluturoj. Shenjë dalluese prej së largu shfaqet djali që kërkoj. E lus të zbresë se ky vend nuk është për asnjë njeri. - Vetëm nuk je,  tashmë jam unë me ty!

Dhoma e miqve

Në dhomën e miqve jam, një dorë letra duke luajtur. Një tavolinë pokeri prej nesh rrethohet Dorën e rradhës dikush pret për ta gjuajtur. Pas letrave diçka vërej, një avull që kërcen mbi kokat e miqve Rrethues si djalli, që komandon mendt e tyre. Turfullues miqtë janë pas çdo gjuajtje, çuditshëm ngrenë krye. Pas çdo rradhe  bllofin lexoj  kur miqtë shprehen sysh. Ndër tavolinë, lëvizje kuptoj Duar të shpejta shkëmbejnë ndonjë dysh. Jo dhe aq pabesisht të zënë nga dikush që i spiunoi Miqtë kuptojnë se gafil janë kapur, Kollaj për ta ish të thoshin se qe vetëm një lojë.

A keni ndjerë ndonjëherë mëshirë?!

Të thatën dorë, askush nuk e puth Të butën dorë, dinë ta lëpijnë. A keni ndjerë ndonjëherë mëshirë Për ata njerëz që ju ngjajnë të dëlirë?! Për ata që hallin jua di, Për ata që ju besove, e të zhgënjyen ty. Mëshirë, E çastit mëshirë Kur sytë në pafaj u panë. Mëshirë ndaj dy njerëzve Që prej gabimeve,  ëndrrat e tyre ranë. Po në thelb, ç'është mëshira?! Në fjalor diçka lexoj... (Në mendime) A të vrau ty e mira? Që kaq thellë më fute të kërkoj... Një rimë e padëgjuar, luan në veshin tim Mëshira Kjo ndjenjë e praruar, bazohet Mbi dhembshurinë. Fatkeqi dergjet për pak dhembshuri, Padrejtësisht diçka kërkon Që t'i jepesh më shumë ti. E fatkeqësi më të madhe se kjo Drejt të them, nuk paska. Mëshirë të ndiej për njerëzit Dhe kur faj nuk kam U dashka