A të kam folur ndonjëherë për ndjesitë?

(Ndjesi - ndjenjë; aftësia për të ndjerë: i lindi një ndjesi e re.)

   Më duhet ta nis me një përkufizim shkrimin e rradhës sepse dua ta kemi të qartë konceptin e fjalës, sepse ndoshta në vijim do të të duhet ta pyesësh veten, ndoshta në vijim do të ndihesh… si unë.

Si fillim më lejo të të pyes, ndihesh mirë?
Nëse me vete guxove të thuash jo, të kuptoj mirë, e nëse nuk ngurrove të thuash po, a mund ta pyesësh veten edhe një herë?!
   Në një kohë si kjo, unë i premtova vetes se nuk do të bija pre e “efektit karantinë”, sepse doja ta mposhtja të gjithë energjinë e keqe që më rrethon prej gati dy muajsh. U përfshiva pa dashur në mërzinë e kohës, të rregullave, të fatkeqsisë, në pavërtetësinë e lajmeve dhe artikujve të ndryshëm, në dyndjen e njerëzve e po ashtu dhe në vetminë e tyre.

Ndjesi. Ndjesi, ndjesi, ndjesi. Ku hyn ti vallë?!

  Teksa po i hidhja një sy njërit prej shkrimeve të mia, sytë u përqendruan tek fjala ndjesi, e ndërsa po pyesja veten për domethënien/vlerën e fjalës, u stepa.
Çfarë? U habite?! Dhe unë me veten!

 Fillova të kërkoj mbi kuptimin e fjalës, përkufizimin e të cilit lexove në krye dhe u habita me veten po aq sa u habita kur nuk po i gjeja fjalës domethënien.
   Në momentin e parë që lexova se ndjesia është aftësia për të ndier e konsiderova veten si një të paaftë. Fajin ja vura vorbullës që më ka tërhequr, për ndikimin e madh, por më vonë kuptova që e shtyva veten vetë drejt asaj vorbulle. Ndoshta ishte një moment dobësie. Ky moment më rrëmbeu të qeshurën kur shikoja një film komedi, mi ndalte lotët para një drame, ma mori mendjen teksa shfletoja librat e mi, më mori vëmendjen për të ma çuar diku gjetkë. Derisa sot, arrita të kthjellohem duke kuptuar se sa ndjesi paskam humbur. Arrita të kthjellohem për të rimarrë veten time, ndjesitë e mia, energjinë dhe fuqinë për të shpëtuar.

Mos ndoshta në një moment u ndieve dhe ti si unë? A ju hakërreve kohës dhe ti si unë?  
Nëse përgjigjja ishte po, më lejo të të uroj, sepse dhe ti, ashtu si unë, i more sërish në dorë ndjesitë e tua.

Kohë më parë mendoja se ndjesitë ishin larva të pakomandueshme që merrnin zhvillim brenda qenies sonë, e tani besoj se ndjesitë janë të komandueshme, sepse çdo larvë arrin ta gjejë rrugën e duhur për të dalë nga vorbulla si një flutur. 🦋



Të gjithë e kanë lexuar

Të dua vs Të kam xhan

Nuk kanë përgjigje këto pyejte

What would you do for love?

Pas t'njëzetegjashtit