Posts

Showing posts from December, 2023

Reflektim

Gjithmonë, në natën e dymbëdhjetë Gjej kohën të kujtoj, Udhëtimin përqark diellit, Kur tokës përqark i shkoj. Tokës, I falem e i lutem. Botës, Pasi 100 herë e kam fyer e shkelur. S'kursej faljen, ndonëse sot jam e dehur. E dehur jam, nga reflektimi. E ditëve përmbledhja Me mall vjen ritakimi. Reflektimi në mend më sjell, Kujtimet që përjetuam, Pas i lamë, për të krijuar të tjerë. 

Ligji i mirënjohjes

Dhe aty kur Zoti më rrëzon përfundi, Kur lutja ime nuk jep më sinjale shprese, Kur lufta me veten, aq e fortë bëhet, Sa, kupa finale të jetë një fije mbijetese. Ligji i mirënjohjes, mbi sup më tringëllon, Madhështinë për të marrë, Se si edhe nga një i rradhës premtim timin,                          Jetën mundet, edhe një herë të ma falë.        Diçka që ligji s'di, është se jam prodhim i mëkatit tim, A i fatit, s'di të them. Riskues gjer në adrenalinë, Jam sëmundje që s'gjen kurë, Jam peng i trupit tim.

Nobel për paqe

Do ti jepja birit tim, Nobelin për paqe më të madhin çmim. Nuk arrita ta njoh, E ndoshta as tamam nuk dita ta doja Atë, të ikurin Birin tim. Lajmëtar i paqeruajtjes, Krejt' i shkretë në qenien e tij, Nga jeta i zhgënjyer, Asnjëherë pa u rrëfyer Çfarë me jetën e tij po shkonte gabim?! Një faj më bren'  Se si erdhi jeta, për çudi. Prej mendje s'më shqitet Se sa -të pafajshëm mëkatarë- jemi. E unë si nënë, Vuaj, gjithë sjelljen e shoqërisë Biri im, në dhè u fut nga pasojat e fëmijërisë.

Pa identitet

Jam peng i vetes time, Peng gabimesh Peng arsyetimesh. E pazonja për të qenë unë kur nga njerëzit kërkoj pak më shumë. Jam peng i kohës, I naivitetit. Rrëmbehem nga jeta, njerëzit. Jam peng i sinqeritetit. Edhe një herë jam peng, Pas flladit, erës kur pas vetes më thërret. E humbur ndaj botës, jam Pa identitet. Jam peng i identitetit tim, Sëmundje që nuk ka shërim. Peng i tjetrit, kënaqësi Një herë s'dita të jetoja N'liri.

Rrugës e qiellit

Do të vijnë zogjtë Pas nesh, pas ikjes tonë, Në mendjen tonë për të qëndruar. E prej së largu të kuvendojnë Se si me sukses, ne na kanë larguar. Zogjtë do të vijnë Në jetën tonë sërish, Për të lëshuar bashkë me puplat Një tufë marrëzish' Me opinionet e tyre, gjerë e gjatë Duke komentuar. Më të vegjëlve zogj Duke ju thënë se si duhet jetuar. Po këta zogj nuk dinë Se jeta, në të vërtetë  Është individuale. Ashtu siç hap krahët ti,  Unë dot nuk fluturoj Çka për ty është e drejtë, për mua Është fatale!

Filiz

S'jam veçse dëshirë,  Dëshirë nga zjarri i një nate, E dy të rriturve, dëshirë, Dëshirë pasionante. Jam një dëshirë,  një epsh, Një embrion. Një filiz, çuditërisht në çelje Në barkun e dikujt që s'më dëshiron. Filiz më quajnë, Unë, fryt i dashurisë?! Vallë mos jam fryt i ekstazës?! Gabim i rinisë. Më shumë se fatal,  Unë jam fryt i vetmisë. Për çudi nuk më vranë. (S'ditën?! S'deshën?!) Për muaj, plot 9, në bark më lanë. Po në jetë, kështu të vija Filizi e quajti mallkim Gjersa rrojta, më pas vdiqa Veç kështu gjeta shpëtim!

Kujdes nga idhujt

Në jetë kam pasur një idhull, Një pjesë timen ja dedikova, Aq fort pas idhullit u lidha, Sa mend u dashurova. Po pas idhullit diç' fshihej, Një pëlhurë e bardhë  Mbulonjëse e syve të mi. Ish idhulli që jetën ma mori, Idhulli, që më dha liri. Më dhemb të kujtoj Prej vitesh, kohën që me të kam kaluar, Verbuar, totalisht nga idhulli Me fytyrën e maskuar.  Kujdes nga idhujt! Se pas engjëllit në dukje  Janë ferr. Krejt ëmbël, pafajësisht Të gllabërojnë, Me këmbët e tua  të shpien në terr'

Në altarin e arratisë

Në altarin e arratisë Do të shkruaj gjithmonë për një vend Për vendin, që me vite prita Për vendin, që kurrë s'mu gjend. Një altar ish, si gjithë të tjerët Me premtime, anë e mbanë, Dashurisë përjetë betuar Të njëjtës dashuri, që vetë premtimet ndanë. Më thërret harku i trëndafilit, Që rrugës së bardhë krejt besë drejt t'i shkoj. Po harku sa vjen e zvogëlohet, Të kthyer në rreth mbytës, altarin tim shikoj. S'di të numëroj mijëra dallgët që trazuan detin, U duk se deti e kish humbur të zotin e tij, Dhe altari, të vetin. Pre sysh jeshil, sërish kam rënë E jam gabuar. Altarit tim më si besoj, Më shpie gjer aty Për t'më thënë se jam tradhëtuar.

Kur bien yjet

E kokën dua ta mbështes Në një copë tokë a gomë makine, Mirëpo luksi kaq më ofron, Të prehem, pranë ndonjë mine. Si fishekzjarr, në pjesë ndahem në qiell  Të habitur, të gjithë ngrenë sytë  Xixat e kujt ndriçuan në diell?! Dikush më ndjen larg vetes, Menjëherë përmend emrin tim. Pemës së familjes tonë  Iu shkëput dhe një tjetër degëzim.  Nuk di të them, Shkëlqimin tim në qiell, kush arriti ta njohë Por s'mund të mohoj  se i fundit shkëlqim sdo të jem Që syri i njeriut do të shohë...

Tango kërcehet dyshe

Kur hapat bazë të tangos, mbështetur pas teje lidhur mbajnë trupin tim. Çmendet aftësia ime për të të kuptuar ty kur nuk të analizon me një shikim. Pas fytyrës bardhoshe, Me flokët e kuq, mbi supe praruar Fantazia ime larg na çon Dëshirën tonë për të zbuluar. Me trëndafilin mbi buzë  Magjepsur pas vetes, më ke  mua të gjithin.  Të të ekzekutoj si numër dua O tango që më fut drithin! Epshorë janë sytë e tu Kur më thërrasin në kërcim, Shikim sëmbues më ngul në zemër, Në gjunjë bie para teje, Para teje nuk jam trim.

Përskuqja e qiellit

Po digjen sot qiejt E bashkë me to, dhe ne. Me hirin që pas do lenë Vend do t'ketë dhe për qiej të tjerë.  Pas portokallisë që përskuqi horizontin, Ethshëm, i ngulitur qëndron shikimi im pas reve tërbuese  që çoç mendonin, " Ejani, magjinë ta prishim!" Por ti Re, Kujdes ki! O' ti Re, Mjeshtre manipulimi. Përse me zor shkëlqimin Diellit ja merr?! E gjithë kjo përskuqje, A të është kthyer ty në ferr?! 

Meteor

Po i shkruaj Hënës Që k'të natë, nuk diti të ndriçojë e u bë, më e errët se nata. Hënës, që në terr trupin tim la, si leckë të hedhur, nga këpucë të vjetra shkelur, njësoj si derrat kur dalin nga balta. Pafund zgjat kjo natë Njejt' si pavetëdija ime. Copëzat e mia dikush rrugës kish mbledhur, Mozaik i ndyrë pjesësh intime. Shumë më vonë,  Kur një engjëll krah'thyer në tokë zbret e më zgjon, Arrij të çmendem nga bardhësia e dhomës.  Në dhè të futem Nga dheu dua të zhdukem. më ndot gjer në ferr pisllëku i trupit tim.