Ekzistenca unë & ti
Një bashkëpunim i dështuar që krijon një lidhje joekzistente. Mes rrathësh që digjen flakë e shpëtim nuk kanë. E një jetë që vlerat i merr veç përtej. Abstraksione që ndizen flakë mes jehonash që pëshpërijnë tinguj vrastarë. Një aureolë që gjithçka e mbështjell për ta zhytur në harresë. E ndjesia e të qenit vetëm mes miliona njerëzish, duke parë hirin e shpirtit të fryjë si fllad. Si testamente të patundshme vërtiten shpirtrat duke të kaluar ashtu mes vetes. E ti kërkon kohën pas ta kthesh, në mos gjallë të jesh. Se vlerat shkuan kilometra larg, për të të mos shoqëruar më. Ndërkohë ti ende frymon, mes ëndërrimesh ende je gjallë. Duke klithur deri në çirrje pohon. Ditët ndryshojnë e shikon që ke mbijetuar. Por jo këtu, në një vend që shpirti s'paska funksion. Në një vend që fjalët kërkojnë deshifrim. Në një vend ku dashuria s'paska vlerë. Në djall vaftë! Diçka që s'paska kuptim e kujt peng s'do ti mbetet nëse ndodh një rikthim?! Merr frymë dhe ndjen ashtu si askush tjetër, mes një imagjinate që madhështinë e rrëmben, e me të lufton në një rrugë që ndizet flakë. E mes pijesh sot i zgjedh të gjitha, për të qenë e dehur deri në sinqeritet, sepse forcat u zhdukën nga frika e përballjes. Frikë nga realiteti, frikë nga surealja. Frikë nga jeta, frikë nga vetë vetja. Kujtimet treten e përdhosen sepse më, vlerë s'paskan. Udhëtim i pazakontë që më zgjon një dëshirë sa abstrakte aq edhe konkrete. Një dëshirë që s'ka imagjinatë e përshkrim, s'pranon të rrëfehet. Jam aty brenda ndonëse u larguan të gjithë. Vështrime të pafundme shfaqen pas sysh të frikshëm e djallzorë saqë mbi trup më elektrizojnë të drithura. Rutinë e qelbur! Dhoma ka marrë pamjen e një dënimi, një purgator që pret të më ekzekutojë, e as vetë se di pse, nuk ndihem në grackë, ndonëse në grackë jam. Kërkoj shpëtim nga ky dënim, por më kot! Purgatori është një dhomë që dritarja dhe dera janë sende të panjohura. Mure të veshura me një vishnje gjaku me kredhin në harresën e shpresës. Më varin si Krishti në tavan duke më lënë në pritje, e shoqëruar nga një mantra që më heq mendjen si shpëtim... Sa shumë e kërkoja fjalën jetë. Ta ndieja, ta doja, ta jetoja. Injorante e paditur para një fjale që kërkon shumë për t'u zbuluar, histori për t'u treguar, jetë për t'u jetuar. Pikla e curgje të mbushura me minuta, sekonda, ditë dhe vite drite. Që kërkojnë si të çmendura arsye për të jetuar. Kërkojnë si të paditura një botë për të ekzekutuar. Kërkojnë me ngashërime lumenj që si burim kanë vetë rrënjën jetë, rrënjën jetë për t'u jetuar. Një mohim i pavlefshëm që kërkon fakte, arsye dhe përballje. Kërkon puls që të rrahë në çdo frymëmarrje, kërkon ndjenjë që venat të dinë funksionin, kërkon një botë që të mësojë jetën se si ta jetonim. Ah jeta, rikthehesha pas faktesh. Ti moj vrastare e poshtër që shpirtit ja vure shqelmin diku larg! Dhe një herë mes ëndërrimesh u gjenda, përtej botës lundrova këtë natë.