Zoti donzhuan ju drejtohet


(Çfarë më pëlqen më së shumti kur shkruaj në emrin e një mashkulli është përgjegjësia e fjalës që marr të them. Sepse të gjithë e dimë, ata janë të papërgjegjshëm!)
"E dashura ime Malenë,
Kur ti të lexosh këtë letër, sytë do fillojnë të nxjerrin kristale të pastra, të pafajshme, të çuara dëm për mua. Ah e dashura ime Malenë, të vështira janë fjalët e një mashkulli kur zihet ngusht dhe nuk di si t'ja dali mbanë.
Jam bërë gati me qindra herë të të shkruaj një letër të tillë dhe të shkoj, por diçka më mbante gjithmonë, sepse tek ty ndieja siguri, ti nuk do të shkoje asgjëkundi, nuk do mërziteshe me bëmat e mia, do më doje dhe pa marrë fare pak dashuri në këmbim.
Malenë, unë po shkoj. Po shkoj se nuk mund të të jap asgjë nga vetja. Po shkoj sepse ky vend më mbyt. Po shkoj, sepse ndoshta kështu duhet. Po shkoj, sepse nuk i mbaj mend më gënjeshtrat e mia, sepse turpërohem para teje kur më zbulon, dhe më fal si të mos kish ndodhur asgjë.
Ama mos mendo se unë nuk të doja. E vërteta është se duhet të të kisha dashur më shumë. E kam parë në sytë e tu se sa je lodhur prej meje, e kushedi sa herë mund të kesh qarë kur ishe vetëm, kur më ndieje teksa ikja natën nga krevati ynë, kur ndieje se burri yt donzhuan të braktiste natë pas nate.
Është e vështirë Malenë, ne gabuam kur ishim të rinj, na mori rryma e moshës dhe na vuri përfund. Tani e ndiej veten adoleshent, porsi në kohën e gjimnazit, kur ngacmoja të gjitha vajzat e paraleles, dhe isha më i preferuari ndër të gjithë. Koha ime kishte ngelur aty. Ajo çka ne arritëm bashkë, ishte thjesht një devijim, një rrugë e humbur, e gabuar!
Një natë më ndodhi të pija aq shumë, sa harrova se kush isha dhe pse isha aty. Aty fillova të kuptoja jo vetëm që nuk të përkisja ty, por as vetja ime nuk më përkiste më mua. Koha ime tashmë kishte filluar aty ku kishte mbetur. Në dëshirën për të luajtur, për të pasur gjithçka, çdo femër të bukur që më zinin sytë rrugës. Isha sërish një adoleshent!
Yt shoq, personi që ti mendoje se të falte botën, se të dashuronte njësoj si në kohën e gjimnazit, tashmë ishte bërë i njohur si "Zoti donzhuan".
Ndonjëherë më ndodhte të zgjohesha me dhimbje koke, nga gënjeshtrat e panumërta që thoja. I bëja t'më besonin se i doja, se ato ishin të vetmet e botës sime, ndonjëherë ju thoja se ato ishin të plotfuqishme, aq sa të arrinin dhe ty, por ato s'ishin asgjë tjetër veçse momente dobësie që i bëja të më faleshin me tërë qenien e tyre. Habitesha dhe ende habitem me paradoksin e vetes time, se si një qenie e ftohtë si unë mundtte të falte aq zjarr.
Malenë, e dashur, më vjen keq. Më dhimbset dashuria jote, më dhimbsesh ti kur të përfytyroj teksa lexon letrën time, teksa i beson vërtetë lotëve të tu dyshues. Të mendoja sa herë që dilja nga dera, mendoja të kthehesha, provoja të kthehesha, por instikti prej donzhuani më tërhiqte dhe nuk më linte të prehesha pranë teje. Të mendoja Malenë dhe kur më dilte gjumi dhe një femër tjetër ishte në krahun tim.
Madje një herë njërën prej tyre e thërrita Malenë, dhe një frikë si ankth më kaploi të tërin, pas një minuti, kur u sigurova që ajo nuk ishe ti, bëra seks me të deri në mëngjes.
Malenë, t'i shkruajta të gjitha këto fjalë, që të mos ndihesh keq për ikjen time. Tani, më shumë se kurrë dua të të fal shumë dashuri si shkëmbim, por e di që ky është vetëm një moment që nuk do të zgjaste më shumë se një minutë.
Tani më duhet të shkoj Malenë, po të dërgoj disa përqafime, sepse buzët e mia jane ndyrë së tepërmi. Bëji vetes një nder, për mua mos qaj sonte!
Nga unë, Gregori."

Të gjithë e kanë lexuar

Të dua vs Të kam xhan

Nuk kanë përgjigje këto pyejte

What would you do for love?

Pas t'njëzetegjashtit