Pasqyrë apo xham?

(Dua ta nis kështu...)
Ne njerëzit, jemi copëza të vogla qelqi, që mundohemi me atë tonën të krijojmë një mozaik, në dukje të paarritshëm.
Në dukje siç thashë.
Jo më kot zgjodha fjalën 'qelq' teksa nisa të shkruaja. Shumë mirë mund të kisha thënë dhe pasqyrë ose xham. I kap nga përgjithësia, që ti veçoj më vonë.
Përse jemi një mozaik në dukje i paarritshëm?
Sepse jemi copëza që nuk e lejojmë veten të jemi të së njëjtit lloj. Mozaiku ynë është një kompozim i këndshëm pasqyrash dhe copëzash xhami, të cilat qëndrojnë bukur nga larg, pranë njëra-tjetrës, por kur afrohesh dhe i shikon më mirë, kupton se diçka nuk duket dhe aq bukur. Këto janë mendimet tona, frika për të pasur mendime të lira, guximi për të qenë njeri, dëshira për të shkuar pas turmës.
Ndaj dhe kemi dy grupime njerëzish; po ndalem vetëm në dy sepse çdokush do ta gjejë veten këtu. Dy, si shumica dhe pakica, pozitivja dhe negativja.
Pasqyra, si objekt reflektues, një copë qelqi që merr ngjyrë, ana pozitive, pakica do të thoja. Ata që e shikojnë reflektimin e vetes jo vetëm në dukje, por dhe në sjellje. Njerëzit e pasqyrës, janë njerëzit e karakterit, e shohin të drejtën, por shohin dhe luhatjet. Pasqyra të nxjerr zbuluar, dhe kur ti shikon veten, aty shikon dhe mendimet, je një njeri i hapur. Mendon se i duhesh botës, mendon se i duhesh mozaikut, por në të vërtetë nuk ke dhe aq dëshirë.
Njerëzit e xhamit, duan domosdoshmërisht të jenë në mozaik. Nuk e njohin veten, turren pas një mendimi 'lider', nuk njohin kufinjtë. Këtu dua të bëj një ndërhyrje; jo vetëm që nuk njohin kufinjtë e përgjithësisë, kufinjtë e etikës, por më keq akoma.
Njerëzit "prej xhami" nuk njohin kufinjtë e vetes.
Përse ndodh kjo? Sepse ata nuk njohin veten e tyre! Më lejoni t'ju them se përse i quajta xham. Sepse janë prerës, ashtu si xhami, të presin në fjalë, në veprime. Janë xhama, sepse janë lehtësisht të thyeshëm, vështirë të arrish t'u bashkosh copat. Njerëzit e xhamit janë shumica, sepse mendojnë se të vetmit nuk munden. Janë gabimi i një mozaiku, sepse e nxjerrin atë jashtë kornize, në mënyrë që të përhapet.
Për t'u kthyer në fillim, mozaiku ynë në dukje i paarritshëm, plotësohet mirë, ndriçon nga larg, dhe ndriçon...
Derisa një ditë energjia të jetë shuar dhe elektriciteti të bjerë.

Të gjithë e kanë lexuar

Të dua vs Të kam xhan

Nuk kanë përgjigje këto pyejte

What would you do for love?

Pas t'njëzetegjashtit