Khlea
Khlea që e humbet "h" gjatë shqiptimit.
Khlea, si pesë trëndafilat.
Khlea, si pesë histori.
Khlea pas kohe..
Teksa dëgjoj "Gëzuar Ditëlindjen!" nga zëri më i qetë që kam njohur gjatë gjithë jetës, jap dhe marr një puthje që më ngjesh të gjithën pas vetes. Përpiqem ti jap vetes kohë, i them vetes ti mbyll sytë dhe ta kujtoj momentin, e teksa e kujtoj, dëshira më bën të kapërdihem. Hap sytë dhe kërkoj për një pije të tretë me vetëdije, pa menduar se sa pak kohë ka kaluar që nga gota e parë. Dua të dehem sërish në histori mesa duket. Përpiqem të kthjelloj veten, por dua të kapem sërish pas rrezikut, dua sërish e sërish, sepse unë, mesa duket nuk e humbiskam besimin kurrë. Ndoshta tërhiqem pas gabimeve?! Apo pas zërit të qetë që më fton në mëkat?
Një Khlea për të cilën kam dëshirë të pres dhe të lagem në shi, një Khlea që fton gjithë qenien time në gabim, e fton me djallëzi, më zgjat dorën dhe afrohet drejt meje me hapa të ngadaltë, me buzëqeshje marrosëse që më bën ti jepem...
Khlea para dy...
Ëndërroj nën muzikën që lëshon harmonika, ëndërroj për idealin zgjuarsi, duke krijuar iluzione, shpresa... Ndodh që gjendem para pasqyrës dhe uroj veten, ndodh që mendoj se i kam fituar të gjitha. Ndodh të mendoj se paskam shpëtuar, se nuk do të mbeteshkam e vetme në botën time prej budallaçke. Ndodh të mos krijoj pritshmëri, sepse Khlea ngjason me një kupë kristali, dhe pritshmëritë janë si dora e një njeriu të dehur, pa ekuilibër, thyhen papritur sa hap dhe mbyll sytë.
Në kafene e ulur, me shiun përballë që rrjedh, frika i përtyp me vështirësi minutat, kuptoj se shiu e paska prishur magjinë, shiu i paska lagur ëndrrat, dhe gjurmët e tyre qenkan fshirë. Ama e vogla zemra ime, nuk paska qenë dhe aq e vogël kur diti të kapet pas kohës, me shpresën për tu rikthyer se do të gjente një fund të lumtur në atë histori. Por ja që ajo, e cilësuara si e vogla zemër, kish harruar se përrallat janë për natën.
Khlea pas një...
Khlea e mëkatit të së shkuarës do të thoja, që ma merr ende frymën kur më shfaqet përballë në rrugë. Kur më shtyn pas ftohtësisë së pllakave dhe lë gjurmët e buzëve mbi qafë, teksa buzët kërkojnë ti shpëtojnë pasthirrmës "Ohh" nën sytë e mbyllur, mbushur me ndjesi dhe orë që i kalojnë masat e normales. Frika qëndron para malit me dëborë, të pajetë por të akullt, duke lënë gjurmë, duke këlthitur emra epshorë, në ekstazën më të lartë që të bën të varësh kokën dhe tani që i rikthehesh ngjarjeve. Kësaj rradhe dehem në valët e detit kur i shoh teksa përplasen pas shkëmbinjve. Dehem në dashuri, dhe e lus veten të jem kaq e ndjeshme sa jam tani. Pas teje, sërish gaboj...
Khlea më shumë se tre...
Kurrsesi një Khlea e tillë nuk mund të jetë një gabim. Do ta quaja bamirësi, njohje me botën. shirita që priten. Më ndodh të zhgënjehem, më ndodh ti ulëras vetes, të ngrihem nga kafeneja sepse nuk ja vlen. Më ndodh ta tërheq veten zvarrë për tri orë me buzëqeshjen që do të fitonte çmimin e parë si buzëqeshja më e dështuar fallco.
Nuk duroj dot të kundërshtohem, jo sepse jam mësuar që gjithmonë të më dali e imja, por sepse pala që më kundërshton qenka një lopë hollandeze që flet më shumë se unë, ha më shumë se unë, dhe madje madje merr frymë më shumë se unë. Ndihem e tepërt në tavolinën për dy, ndjej nevojën për të luajtur skena filmash, kur nga nervat hedh tavolinën në ajër, dhe filxhanët me kafe (tashmë të ftohur), i përplasen lopës hollandeze drejt e në fytyrë. E kështu kënaqem me imagjinatën time, madje madje kujtoj me shumë "mall" se sa kënaqësi ishte dhe kur fjalia e fundit ishte: "Ishte kënaqësi për mua" ...
Khlea që merr fund,
Khlea i vendos vulën top listës. Pyes veten për përshtypje, habitem me veten se si nuk marr asnjë përshtypje. Kërkoj shpëtim, kërkoj shmangie, derisa një prej gabimeve më del para duke më shkelur syrin. Ndizem e tëra nga inati. Shaka, shaka dhe shaka pafund që e dërgojnë kilometrazhin e trurit tim në ambulancën e çmendinës. Qesh nga halli, pastaj qesh seriozisht, qesh me shpirt e më vonë mbytem nga të qeshurat. Diçka po ngjit, ama është një atak 10 lekësh, jo nga ata të mirët. Khlea tenton dhe tenton sërish, e vlerësoj çdo mund, por më kot. Asgjë nuk ja vlen, dhe aq më pak nje Khlea që më zë diellin, me siguri në rrethana të tjera mund të më mbysë. Khlea arrin të puq duart me delikatesën e një femre, vras mendjen si mund ta mbajë timonin me ato duar aq të brishta. Imagjinata më çon më larg, si mund të më drithërojë mua me ato duar aq të brishta? Khlea, ishte një kënaqësi sa për të të hequr qafe, mos u dashuro pas meje!