kon-tempo-rane
Sonte,
në përzgjedhjen e 1000 emrave,
askujt nuk i përshtateshin vargjet.
Sonte,
Kjo poezi mbeti 1000 herë e patitulluar.
Sonte fjalët e mia i rrëmbeu djalli,
Djalli që shpirtin tim mori,
e të vetin më fali.
Nga të gjitha mbrëmjet
që me domosdoshmëri, dikujt i kushtova
një poezi
Sonte,
Mes rreshtash përhumbem,
Përse-në, nuk e di...
Ka një lidhje me besimin,
Që realisht,
se sa i fortë është, ti e kupton
Sepse, kur ti me të vërtetë e ndjen,
Ai të zotëron!
Mantra në kokën time
me dëshpërim, përsërit 3 herë
besim
besim
besim.
Jashtë dal, pak frymë të marr
Ndiej që ajri më rëndon
Ajri, frymë më mban.
E kur mantra trurin më ka pushtuar
Një shenjë nga Zoti marr,
Nga mendja mantrën për të larguar,
kon-tempo-ranen, ti, për të lexuar.