Marrëdhënies time me Zotin
Gjunjëzuar,
Lutjes sime.
Kokëulur,
Fsheh gabimet.
Sypërlotur,
Zbras rrëfimet.
Magjistar i shpresës time,
Më lë të gaboj,
që të nxjerr mësime.
Më bën ta kërkoj,
t'i përgjërohem për ndihmë.
Mendueshëm, më shikon
duarkryq nga një kthinë.
Më ngre lart që të prek qiellin.
Poshtë më ul që t'më tregojë nivelin.
Më lejon të ëndërroj,
Më sfidon dhe e sfidoj.
Më fal tokë e më fal qiej,
Më fal shi e më fal diej.
Më fal frikën,
që si ndjesi ta di,
bashkë me të, guximin
për të bërë ndonjë çmenduri.
Mes shokësh më provoi se si mund të ndihem vetëm,
Pa njeri më la, për të kuptuar se me veten s'jam vetëm.
Më mësoi të vrapoj,
zvarranikut t'i shpëtoj,
E me shpendin të fluturoj
që ashtu e lirë, unë të jetoj.