Posts

Showing posts from 2023

Reflektim

Gjithmonë, në natën e dymbëdhjetë Gjej kohën të kujtoj, Udhëtimin përqark diellit, Kur tokës përqark i shkoj. Tokës, I falem e i lutem. Botës, Pasi 100 herë e kam fyer e shkelur. S'kursej faljen, ndonëse sot jam e dehur. E dehur jam, nga reflektimi. E ditëve përmbledhja Me mall vjen ritakimi. Reflektimi në mend më sjell, Kujtimet që përjetuam, Pas i lamë, për të krijuar të tjerë. 

Ligji i mirënjohjes

Dhe aty kur Zoti më rrëzon përfundi, Kur lutja ime nuk jep më sinjale shprese, Kur lufta me veten, aq e fortë bëhet, Sa, kupa finale të jetë një fije mbijetese. Ligji i mirënjohjes, mbi sup më tringëllon, Madhështinë për të marrë, Se si edhe nga një i rradhës premtim timin,                          Jetën mundet, edhe një herë të ma falë.        Diçka që ligji s'di, është se jam prodhim i mëkatit tim, A i fatit, s'di të them. Riskues gjer në adrenalinë, Jam sëmundje që s'gjen kurë, Jam peng i trupit tim.

Nobel për paqe

Do ti jepja birit tim, Nobelin për paqe më të madhin çmim. Nuk arrita ta njoh, E ndoshta as tamam nuk dita ta doja Atë, të ikurin Birin tim. Lajmëtar i paqeruajtjes, Krejt' i shkretë në qenien e tij, Nga jeta i zhgënjyer, Asnjëherë pa u rrëfyer Çfarë me jetën e tij po shkonte gabim?! Një faj më bren'  Se si erdhi jeta, për çudi. Prej mendje s'më shqitet Se sa -të pafajshëm mëkatarë- jemi. E unë si nënë, Vuaj, gjithë sjelljen e shoqërisë Biri im, në dhè u fut nga pasojat e fëmijërisë.

Pa identitet

Jam peng i vetes time, Peng gabimesh Peng arsyetimesh. E pazonja për të qenë unë kur nga njerëzit kërkoj pak më shumë. Jam peng i kohës, I naivitetit. Rrëmbehem nga jeta, njerëzit. Jam peng i sinqeritetit. Edhe një herë jam peng, Pas flladit, erës kur pas vetes më thërret. E humbur ndaj botës, jam Pa identitet. Jam peng i identitetit tim, Sëmundje që nuk ka shërim. Peng i tjetrit, kënaqësi Një herë s'dita të jetoja N'liri.

Rrugës e qiellit

Do të vijnë zogjtë Pas nesh, pas ikjes tonë, Në mendjen tonë për të qëndruar. E prej së largu të kuvendojnë Se si me sukses, ne na kanë larguar. Zogjtë do të vijnë Në jetën tonë sërish, Për të lëshuar bashkë me puplat Një tufë marrëzish' Me opinionet e tyre, gjerë e gjatë Duke komentuar. Më të vegjëlve zogj Duke ju thënë se si duhet jetuar. Po këta zogj nuk dinë Se jeta, në të vërtetë  Është individuale. Ashtu siç hap krahët ti,  Unë dot nuk fluturoj Çka për ty është e drejtë, për mua Është fatale!

Filiz

S'jam veçse dëshirë,  Dëshirë nga zjarri i një nate, E dy të rriturve, dëshirë, Dëshirë pasionante. Jam një dëshirë,  një epsh, Një embrion. Një filiz, çuditërisht në çelje Në barkun e dikujt që s'më dëshiron. Filiz më quajnë, Unë, fryt i dashurisë?! Vallë mos jam fryt i ekstazës?! Gabim i rinisë. Më shumë se fatal,  Unë jam fryt i vetmisë. Për çudi nuk më vranë. (S'ditën?! S'deshën?!) Për muaj, plot 9, në bark më lanë. Po në jetë, kështu të vija Filizi e quajti mallkim Gjersa rrojta, më pas vdiqa Veç kështu gjeta shpëtim!

Kujdes nga idhujt

Në jetë kam pasur një idhull, Një pjesë timen ja dedikova, Aq fort pas idhullit u lidha, Sa mend u dashurova. Po pas idhullit diç' fshihej, Një pëlhurë e bardhë  Mbulonjëse e syve të mi. Ish idhulli që jetën ma mori, Idhulli, që më dha liri. Më dhemb të kujtoj Prej vitesh, kohën që me të kam kaluar, Verbuar, totalisht nga idhulli Me fytyrën e maskuar.  Kujdes nga idhujt! Se pas engjëllit në dukje  Janë ferr. Krejt ëmbël, pafajësisht Të gllabërojnë, Me këmbët e tua  të shpien në terr'

Në altarin e arratisë

Në altarin e arratisë Do të shkruaj gjithmonë për një vend Për vendin, që me vite prita Për vendin, që kurrë s'mu gjend. Një altar ish, si gjithë të tjerët Me premtime, anë e mbanë, Dashurisë përjetë betuar Të njëjtës dashuri, që vetë premtimet ndanë. Më thërret harku i trëndafilit, Që rrugës së bardhë krejt besë drejt t'i shkoj. Po harku sa vjen e zvogëlohet, Të kthyer në rreth mbytës, altarin tim shikoj. S'di të numëroj mijëra dallgët që trazuan detin, U duk se deti e kish humbur të zotin e tij, Dhe altari, të vetin. Pre sysh jeshil, sërish kam rënë E jam gabuar. Altarit tim më si besoj, Më shpie gjer aty Për t'më thënë se jam tradhëtuar.

Kur bien yjet

E kokën dua ta mbështes Në një copë tokë a gomë makine, Mirëpo luksi kaq më ofron, Të prehem, pranë ndonjë mine. Si fishekzjarr, në pjesë ndahem në qiell  Të habitur, të gjithë ngrenë sytë  Xixat e kujt ndriçuan në diell?! Dikush më ndjen larg vetes, Menjëherë përmend emrin tim. Pemës së familjes tonë  Iu shkëput dhe një tjetër degëzim.  Nuk di të them, Shkëlqimin tim në qiell, kush arriti ta njohë Por s'mund të mohoj  se i fundit shkëlqim sdo të jem Që syri i njeriut do të shohë...

Tango kërcehet dyshe

Kur hapat bazë të tangos, mbështetur pas teje lidhur mbajnë trupin tim. Çmendet aftësia ime për të të kuptuar ty kur nuk të analizon me një shikim. Pas fytyrës bardhoshe, Me flokët e kuq, mbi supe praruar Fantazia ime larg na çon Dëshirën tonë për të zbuluar. Me trëndafilin mbi buzë  Magjepsur pas vetes, më ke  mua të gjithin.  Të të ekzekutoj si numër dua O tango që më fut drithin! Epshorë janë sytë e tu Kur më thërrasin në kërcim, Shikim sëmbues më ngul në zemër, Në gjunjë bie para teje, Para teje nuk jam trim.

Përskuqja e qiellit

Po digjen sot qiejt E bashkë me to, dhe ne. Me hirin që pas do lenë Vend do t'ketë dhe për qiej të tjerë.  Pas portokallisë që përskuqi horizontin, Ethshëm, i ngulitur qëndron shikimi im pas reve tërbuese  që çoç mendonin, " Ejani, magjinë ta prishim!" Por ti Re, Kujdes ki! O' ti Re, Mjeshtre manipulimi. Përse me zor shkëlqimin Diellit ja merr?! E gjithë kjo përskuqje, A të është kthyer ty në ferr?! 

Meteor

Po i shkruaj Hënës Që k'të natë, nuk diti të ndriçojë e u bë, më e errët se nata. Hënës, që në terr trupin tim la, si leckë të hedhur, nga këpucë të vjetra shkelur, njësoj si derrat kur dalin nga balta. Pafund zgjat kjo natë Njejt' si pavetëdija ime. Copëzat e mia dikush rrugës kish mbledhur, Mozaik i ndyrë pjesësh intime. Shumë më vonë,  Kur një engjëll krah'thyer në tokë zbret e më zgjon, Arrij të çmendem nga bardhësia e dhomës.  Në dhè të futem Nga dheu dua të zhdukem. më ndot gjer në ferr pisllëku i trupit tim. 

Lulja e vërtetësisë

Për të fundit herë, në botanikën e ditarit tim, Fjalët diku në cep qëndrojnë, E seç kërkojnë... Të shkruhen në vargje rradhitur Për vërtetësinë, se të lodhura janë ndjerë, që për kaq kohë, në vargje rradhiten Për dashurinë. E mosbesimi im  Të vërtetën nuk e mban dot përqafuar, E vërteta e trishtë është se Në të parin moment që na e jep jeta Egoja jonë, e pret me shqelm, në vend që ta mbajë mbi duar. Me të vërtetën ndeshem hidhur Aq fort sa s'dua ta pranoj  ndonjëherë Me të aq fort jam e lidhur.

Lulja e kompleksitetit

Lulja e kompleksitetit I druhet vetes  Kur më shumë nga vetja nxjerr, Kur përpiqet të fshihet Të mos zbulohet Kur data i kallet në ferr. Petalet drithërohen kur për veten dy gramë më shumë zbulon. E ato tokës i lëshohen kur zotimin ndaj vetes shkelmon. Lulja e kompleksitetit  I druhet botës Kur algoritmin me këmbë shkel. Në pasiguritë më të mëdha të vetes Në çmenduri kalon kur nga vetja del.

Lulja e zemërimit

Në përqafimin qiellor Litarët e reve shtrënguan trupin tim. Dhunshëm më gjuajti breshëri Të pashpresë më la aty në mesin e një rruge të lagur, të venitur, të lodhur, të paduruar. Kërkova t'i shpëtoj zemërimit të qiellit Por më kot s'ja dola Zemërimi mbante emrin tim. Me qiellin ndamë dhimbjen rrugës I bëri lotët e mi të padukshëm. Më mësoi se retë e zeza janë të përkohshme. Në jetë, ashtu siç ka ndjesi të vërteta,  po ashtu ka dhe boshe...

Lulja e fatit

Cigaren e fundit mbaj në duar, E teksa e dredh, Kujtoj se jam përbetuar përgjithmonë ta lë, ta harroj, Nga jeta ta largoj Ashtu siç ty të kam larguar! Të djegura do të lihen edhe kujtimet Me hirin nëpër këmbë që venitet, Që rrugëve fshihet,  zhgërryhet. ... Kësaj rradhe i shkruajta lules së fatit, I shkruajta rastit,  Pohimit të çastit, se ishte një hidhërim  asgjë më shumë, Një i rradhës zhgënjim fajtore për të cilin, jam unë.  E për në të tjera jetë,  Kur më, të mos i dorëzohem fatit tim Gëzo dhe ti me mua trokitma gotën shpirti im!

Lulja e hakmarrjes

Petale peonjash,  butësisht ndër duar,  ledhatojnë trupin tim pa asgjë të veshur,  me dëshirë mbuluar. Me epshin që përvidhet, Lakimit të trupit tim Një arsye e përhumbur hakmarrje kërkon Për një të rradhës krim. E teksa peonja mbi buzë Në lutje të mekur,  më than plotësisht Lus dëshirën të më nënshtrojë Çmendurisht!

Lulja e domosdoshmërisë

Do të vij sërish tek ti Për të ndezur edhe një herë zjarrin, Për të vrarë ndjenjën e fajit, Për të kurdisur kujtimet, Të rregullojmë gabimet, Të paplotësuara, për të mos i lënë premtimet. E vij për tek ti, Sepse më rrëmben siguria. Më fton rehatia E ëmbël më pret,  Vetmia jote. Për t'më shoqëruar,  Në ndihmë më vjen  Prania jote... Mirupafshim shpirt! Më duhet të të lë, por  do të vij tek ti sërish! Për të të thënë se të dua! Se të dua marrëzisht! 

Merita e Cezarit

Më ç'merit pafajësia jote! Se frikë kam, kur jam përballë me ty. Në indinjatën më të lartë botërore  Ndrojtja ime bëhet mal e unë kthehem në puhi. Çarmatosëse, më vë përballë  fajit tim, një pabesi. Kuptova se me ty, nuk mund të luaj, Ti me pasion më merr përpara, Më humbet gjurmët si një stuhi. Me shpatulla pas murit Dhe kur në pafajësi gjithmonë unë jam, Më çmend arsyeja jote! Kur të drejtë ke ti e unë nuk kam. I përdorur ndihem, Nga mëshira jote besnike. S'do të doja për asgjë në botë të të humbisja. Të dashurova në botën tjetër pa e ditur se Në këtë botë do të të kisha mike.

Nuk do të doja të vdisja pa pasur diçka me ty

3/ 3  Për të ardhmen Në stuhinë e rrëmbyeshme të dhjetorit Ti rrugën merr, për të vazhduar S'i trembesh motit zemërak E as përmbytjes që rrugët ka bllokuar. Ti zgjedh të shkosh Duke lënë pezull premtimin se do të më dhuroje botën, E unë,  gjurmët tua dot s'i ndjek, Pafuqia, nga duart më rrëzon gotën.  A thua se gabova, kur ndaj vetes aq shumë kërkova?! Kur veten të mbushur me pritshmëri sureale, detyrova?!  Kur lejova, imagjinatën time të shuhej në faj?! Kur kuptova se pritshmëritë nga realiteti më duhet ti ndaj?! ... Në diçka besoj frikshëm,  Është e tmerrshme me aq sa di, Në të fundit kusht që do të më privonte jeta S'do të doja të vdisja pa pasur diçka me ty!

Dikush ti përgjigjet eklipsit

 2 /3  Për të tashmen Të dua Njësoj dhe sot,  Me të njëjtën forcë, Me të njëjtën dëshirë premtimi Si në altarin e bardhë që shkelëm, Me të njëjtën arsye betimi. Një kartolinë shënimi  pranë kokës më zgjon, Vetëm një Zot do ta dinte Fuqinë e asaj fjalie, Që do t'më ndryshonte jetën, përgjithmonë. Mes uljesh e ngritjesh, I shkrepur në sytë e mi, ka ngelur momenti Kur në rërë përcëllonim këmbët, E përballë betimit tonë, Shkumëzonte deti... Mes uljesh e ngritjesh, I kujtoj sa herë vetes  Se si Ne, ujisim dashurinë, E me këtë, kuptoj se Kjo është gjithçka i duhet jetës.

Retë e zeza

1/3  Për të shkuarën  Të kam ndjerë nën lëkurë, Marrëzisht me ty dashuruar, Me çmenduri, në mendje të injektuar Në brendësi Plotësisht, Thellësisht depërtuar. Kam ndjerë shikimin tënd Rrugëve, prej syve zbuluar. Sy, që, në turmë më kërkuan Gjersa më gjetën e më deshën, Më bënë të ndihesha e dashuruar. Në sytë që pashë se si reflektohej Shkëlqimi i shpirtit tim, Ndryshoi moti, me qindra re të zeza E bashkë me to,  Erdhi, e një vetëtimë. A ta preu dikush hovin?! Se unë, besim të marrë kisha në ty. Mendimet tua Kë lejove t'i ngatërronte?! Papritur,  Krejtësisht Ndryshove ti! Por unë veten se lëshova, E as gabim se quaj, që ty, të dashurova. Ndonëse në zemrën time, varvitej pak shpresë Në dialogjet me veten, E dija se ti kurrë më, s'do të bëje kthesë...